Rregullorja e Gjykatës
Neni 471 – Përmbajtja e një aplikimi individual
1. Çdo ankim i bazuar në nenin 34 të Konventës duhet paraqitur në formularin e ankimit të dërguar nga Sekretaria, përveç rasteve kur Presidenti i Seksionit në fjalë vendos ndryshe. Ankimi duhet të përmbajë të gjithë informacionin e kërkuar në pjesët përkatëse të formularit dhe të tregojë:
(a) emrin, datën e lindjes, shtetësinë dhe adresën e ankuesit dhe nëse ankuesi është person juridik, emrin e plotë, datën e themelimit ose regjistrimit, numrin zyrtar të rregjistrimit (nëse ka) dhe adresën zyrtare;
(b) emrin, adresën, numrat e telefonit dhe të faksit, si dhe adresën e postës elektronike të përfaqësuesit, nëse ka;
(c) datën dhe firmën origjinale të ankuesit në rubrikën e prokurës në formularin e ankimit, nëse ankuesi ka një përfaqësues; firma origjinale e përfaqësuesit që tregon se ai ka pranuar të veprojë në emër të ankuesit duhet gjithashtu të jetë në rubrikën e prokurës në formularin e ankimit; Gjykata mund të pranojë kopje të nënshkrimeve ose prokura të tjera të cilat janë të vlefshme sipas legjislacionit të brendshëm të Palëve Kontraktuese, nëse jepen arsye bindëse për mospërmbushjen e këtyre kërkesave dhe prokura sipas formularit të ankimit të Gjykatës me nënshkrimet origjinale i komunikohet Gjykatës brenda një kohë të arsyeshme;
(d) emrin e Palës ose Palëve Kontraktuese kundër të cilave drejtohet ankimi;
(e) një përmbledhje të shkurtër dhe të lexueshme të fakteve;
(f) një përmbledhje të shkurtër dhe të lexueshme të shkeljes ose shkeljeve të Konventës dhe të argumentave përkatëse; dhe
(g) një përmbledhje të shkurtër dhe të lexueshme të respektimit të kritereve të pranueshmërisë nga ankuesi sikurse parashikohet nga neni 35 § 1 i Konventës.
2.
(a) I gjithë informacioni i përmendur në paragrafin 1 (e) deri në (g) duhet të vendoset në pjesën përkatëse të formularit të ankimit dhe të jetë i mjaftueshëm në mënyrë që të mundësojë Gykatën të vendosë për natyrën dhe qëllimin e ankimit, pa patur nevojë për dokumente të tjera.
(b) Gjithsesi, ankuesi ka mundësi të shtojë informacion duke i bashkëngjitur formularit të ankimit detaje të mëtejshme mbi ngjarjet, shkeljet e pretenduara të Konventës si dhe argumenta mbeshtetës. Një informacion i tillë nuk duhet të kalojë 20 faqe.
3.1. Formulari i ankimit duhet të firmoset prej ankuesit ose përfaqësuesit ligjor të tij dhe duhet te shoqërohet prej:
(a) kopjeve të dokumenteve të rëndësishme që kanë lidhje me vendimet gjyqësore ose me masat e ankuara, të cilat mund të jenë të një natyre gjyqësore ose jo;
(b) kopjeve të dokumenteve dhe vendimeve gjyqësore që tregojnë nëse ankuesi ka respektuar kërkesën për shterimin e mjeteve të brendshme dhe afatin gjashtëmujor që parashikohet nga neni 35 § 1 i Konventës;
(c) kopjeve të dokumenteve lidhur me ndonjë proçedurë të filluar përpara ndonjë instance tjetër ndërkombëtare hetimore apo pajtuese, sipas rastit;
(d) kur ankuesi është person juridik sikurse referohet në Nenin 47 § 1 (a), një dokument ose disa dokumente të cilat tregojnë që individi i cili ka paraqitur kërkesën e ka kompetencën apo kapacitetin e duhur për të përfaqësuar ankuesin.
3.2 Dokumentet e dorëzuara në mbështetje të ankimit duhet të listohen në mënyrë të rregullt sipas datës, të numërohen në vazhdimësi dhe të identifikohen në mënyrë të qartë.
4. Ankuesit të cilët nuk dëshirojnë të bëjnë publik identitetin e tyre duhet ta kërkojnë shprehimisht një gjë të tillë dhe të paraqesin arsyet që justifikojnë përjashtimin nga rregulli i përgjithshëm i të drejtës së publikut për të pasur akses në informacionet e procedurave përpara Gjykatës.
5.1. Kryetari i Dhomës mund të autorizojë anonimatin ose ta akordojë atë me iniciativën e tij.
(a) ankuesi ka dhënë një shpjegim të përshtatshëm për mospërmbushjen e kërkesave;
(b) ankimi ka lidhje me një kërkesë për marrjen e një mase të përkohshme;
(c) Gjykata vepron ndryshe me iniciativën e saj ose sipas kërkesës së ankuesit.
5.2. Gjykata në çdo rast mund t’i kërkojë ankuesit të dorëzojë informacione ose dokumenta në çdo formë ose mënyrë e cila mund të jetë e përshtatshme brenda një afati kohor.
6.
(a) Për qëllimet e nenit 35 § 1 të Konventës, data e paraqitjes së ankimit do të jetë data e dërgimit të formularit të ankimit sipas kërkesave të këtij neni duke u bazuar mbi datën e vulës postare.
(b) Megjithatë, kur Gjykata e gjen të arsyeshme, ajo mund të konsiderojë një datë tjetër si data e paraqitjes së aplikimit.
7. Ankuesit duhet të informojnë Gjykatën për çdo ndryshim të adresës ose zhvillim të rëndësishëm të çështjes.
__________1 Sikurse është ndryshuar nga Gjykata më 17 qershor dhe 8 korrik 2002, 11 dhjetor 2007, 22 shtator 2008, 6 maj 2013, 1 qershor dhe 5 tetor 2015 dhe 18 janar 2024.