Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut është një gjykatë ndërkombëtare me qendër në Strasburg, e cila mund të shqyrtojë ankesat nga personat, organizatat dhe shoqëritë, të cilat pretendojnë se të drejtat e tyre në bazë të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë shkelur.
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut është një traktat ndërkombëtar, përmes të cilit një numër i madh Shtetesh Evropiane kanë rënë dakord për të respektuar të drejta të caktuara themelore. Të drejtat e garantuara janë përcaktuar në vetë Konventën si dhe në Protokollet e saj Nr. 1, 4, 6, 7, 12 dhe 13, të cilat janë pranuar vetëm nga disa Shtete.
Gjykata zbaton Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Misioni i saj është të marrë masa që shtetet të respektojnë të drejtat dhe garancitë e përcaktuara në Konventë. Për këtë, Gjykata shqyrton ankesat (të cilat njihen si „kërkesa“) e bëra nga individë ose, ndonjëherë, nga vetë shtetet. Gjykata merr një vendim pasi konstaton se një shtet anëtar ka shkelur një apo më shumë nga këto të drejta dhe garanci. Vendimet e Gjykatës janë të detyrueshme, që do të thotë se shtetet e përfshira në gjykim janë të detyruara t’i zbatojnë ato.
Nuk është e nevojshme të jeni shtetas i njërit prej shteteve anëtare të Këshillit të Evropës. Mjafton që shkelja për të cilën ankoheni të jetë kryer nga njëri prej këtyre Shteteve, brenda juridiksionit të tij, që zakonisht përkon me territorin e atij vendi. Veprimi ose mosveprimi për të cilin ankoheni duhet të jetë kryer nga një ose më shumë autoritete publike në shtetin/shtetet në fjalë (për shembull, nga një gjykatë ose nga një autoritet administrativ). Gjykata nuk mund të merret me ankesat kundër individëve ose institucioneve private, si për shembull kundër kompanive tregtare. Duhet të keni qenë drejtpërdrejt dhe personalisht viktimë e shkeljes që pretendoni. Nuk mund të ankoheni për një ligj apo për një akt në përgjithësi, sepse ju duket i padrejtë. Nuk mund të ankoheni as në emër të personave të tjerë (kjo mund të bëhet vetëm në rast se ato identifikohen qartë dhe nëse ju jeni përfaqësuesi i tyre zyrtar). Ju mund të ankoheni vetëm për shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nuk mund të ankoheni për shkelje të ndonjë instrumenti tjetër ligjor, si për shembull, për shkelje të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut apo të Kartës së të Drejtave Themelore.
Ju duhet të keni shteruar në shtetin e paditur të gjitha mjetet e mundshme ligjore që do të kishin bërë të mundur zgjidhjen e situatës për të cilën ankoheni (kjo do të thotë që ju jeni ankuar në gjykatën kompetente dhe, nëse është e nevojshme, madje edhe në një shkallë më të lartë). Vetëm përdorimi i këtyre mjeteve ligjore nuk mjafton. Gjatë shterimit të shkallëve të ndryshme ligjore, ju duhet të keni nxjerrë në pah edhe ankesat tuaja. Për të sjellë kërkesën në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, ju keni vetëm katër muaj kohë nga data e vendimit të formës së prerë marrë në nivel vendor. Formulari i ankimit, së bashku me të gjithë informacionin dhe dokumentet e kërkuara, duhet të dorëzohen në Gjykatë ditën e fundit apo përpara ditës së fundit të periudhës katërmujore. Verifikoni nëse ai përmban të gjithë informacionin dhe dokumentet e kërkuara.
Gjykata nuk mund të shqyrtojë çdo lloj ankese. Kompetencat e saj janë përcaktuar në kriteret e pranueshmërisë që parashikohen në Konventë dhe të cilat kufizojnë faktin se kush mund të ankohet, kur dhe për çfarë. Më shumë se 90% e ankimeve të shqyrtuara nga Gjykata shpallen të papranueshme. Prandaj, ju duhet të siguroheni që ankesat tuaja përmbushin kriteret e pranueshmërisë. Për informacione të mëtejshme mbi këto kritere mund të këshilloheni me një avokat.
Çështja juaj do të trajtohet falas. Shpenzimet tuaja (si për shembull, pagesa e avokatit ose shpenzimet lidhur me punën kërkimore dhe letër-këmbimin) do t’ju duhet t’i përballoni vetë. Gjykata nuk do t’ju ndihmojë të paguani avokat për përpilimin e kërkesës tuaj. Megjithëse në fazat e para të procesit gjyqësor nuk është e nevojshme të përfaqësoheni nga një avokat, ju do të keni nevojë për të në momentin që kërkesa juaj do t’i komunikohet qeverisë.
Në rast se Gjykata arrin në përfundimin se ka pasur shkelje, ajo mund të vendosë t’ju jepet një shpërblim i drejtë , që përbën një kompensim financiar për dëmin që keni pësuar. Gjithashtu, Gjykata mund t’i kërkojë shtetit përkatës t’ju rimbursojë shpenzimet që keni bërë për të paraqitur çështjen tuaj në Gjykatë.