Si të kontaktoni Gjykatën për parashtrimin e një kërkese për masë të përkohshme
Kërkesat pranohen nga stafi i Gjykatës nga e hëna në të premte nga ora 08:00 deri në orën 16:00. (sipas orës vendore të Strasburgut: GMT+1). Kërkesat të cilat merren pas orës 16:00 normalisht nuk do të trajtohen atë ditë. Kërkesat e marra gjatë fundjavave dhe festave zyrtare nuk trajtohen në ato ditë, por trajtohen gjatë ditës vijuese të punës (shih Listën ditëve të pushimit).
ECHR Rule 39 Site – Kërkesat duhet të dërgohen nëpërmjet faqes së GJEDNJ-së për Nenin 39, faksit ose postës. Gjykata nuk do të trajtojë kërkesat e dërguara me email.
– ECHR Rule 39 Site: Adresa e internetit të faqes është https://r39.echr.coe.int. Për më shumë informacion në lidhje me faqen, ju lutemi shihni më poshtë.
– me faks: Numrat e dedikuar të faksit për dërgimin e kërkesave janë: +33 3 90 21 43 50 dhe +33 3 88 41 39 00.
Rekomandohet që çdo faks që tejkalon 10 faqe të dërgohet në disa pjesë, në mënyrë që ato të merren dhe të përpunohen në kushtet më të mira të mundshme.
– Adresa postare është:
European Court of Human Rights
Council of Europe
67075 STRASBOURG CEDEX
FRANCE
Të gjitha kërkesat e dërguara me faks ose postë duhet të përmbajnë shënimin vijues me shkronja të theksuara në krye të kërkesës:
“Rule 39 – Urgent
Personi për t’u kontaktuar (emrin dhe detajet e kontaktit): …
Në rastet e dëbimit ose ekstradimit, duhet të specifikohen edhe sa vijon:
Data dhe ora e planifikuar e largimit dhe destinacioni: …”
Kërkesat normalisht duhet të vijnë sa më shpejt që të jetë e mundur pas marrjes së vendimit përfundimtar të brendshëm, në mënyrë që t’i mundësohet Gjykatës dhe Sekretarisë së saj të kenë kohë të mjaftueshme për të shqyrtuar çështjen. Gjykata mund të mos jetë në gjendje të trajtojë kërkesat që mbërrijnë më pak se një ditë pune përpara dëbimit ose ekstradimit.
Detaje rreth parashtrimit të kërkesave përmes faqes së GJEDNJ-së për Nenin 39 (ECHR Rule 39 Site)
ECHR Rule 39 Site – Faqja e GJEDNJ-së për Nenin 39 të do të përdoret ekskluzivisht për paraqitjen e kërkesave për masa të përkohshme në Gjykatë sipas Nenit 39 të Rregullores së Gjykatës. Parashtresat që nuk kanë të bëjnë me kërkesat për masa të përkohshme nuk do të shqyrtohen dhe kërkesa të tilla në këtë faqe do të mbyllen menjëherë.
Faqja do të përdoret për të komunikuar me ankuesit që kanë paraqitur kërkesat e tyre nëpërmjet kësaj faqeje deri në marrjen e një vendimi në lidhje me kërkesën për masa të përkohshme. Korrespondenca, duke përfshirë njoftimin për çdo vendim administrativ ose gjyqësor, të njoftuar nëpërmjet faqes nuk do të dërgohet me postë të rregullt. Gjykata nuk do të përdorë faqen për të kontaktuar ankuesit që kanë paraqitur kërkesat e tyre nëpërmjet mënyrave të tjera, p.sh. faksit ose postës.
Për të paraqitur kërkesat, ankuesit duhet detyrimisht të:
• Plotësojnë rubrikën «Titulli i kërkesës (Ankuesit duhet të shpjegojnë shkurtimisht objektin e kërkesave të tyre në këtë rubrikë)»
• Plotësojnë rubrikat që kanë të bëjnë me Ankuesit, Përfaqësuesin dhe Shtetin në fjalë
• Paraqesin të paktën një dokument bashkëngjitur. Të gjitha dokumentet bashkëngjitur duhet të jenë në format PDF. Informacioni shtesë për formatin dhe madhësinë së dokumentit mund të gjendet në Përkufizimet dhe Kushtet (Terms and Conditions).
E rëndësishme
ECHR Rule 39 Site – Pas dorëzimit të kërkesës tuaj, ju mund të dërgoni informacione ose dokumente shtesë nëpërmjet faqes së GJEDNJ-së për Nenin 39 vetëm nëse kjo ju kërkohet nga Gjykata.
