Udhëzime praktike
Kërkesat për masa të përkohshme1

(Neni 39 i Rregullave të Gjykatës)

1 Udhëzime praktike të nxjerra nga Kryetari i Gjykatës në përputhje me Nenin 32 të Rregullave të Gjykatës më 5 mars 2003 dhe të rishikuara më 16 tetor 2009, 7 korrik 2011, 3 maj 2022 dhe 28 mars 2024

I. Hyrje

Në kuadër të sistemit të Konventës, në rrethana përjashtimore, masa të përkohshme sipas Nenit 39 të Rregullave të Gjykatës mund të caktohen qoftë me kërkesë të një pale apo të çdo personi tjetër të interesuar, qoftë me nismën e vetë Gjykatës, kur ekziston një rrezik i menjëhershëm për dëm të pariparueshëm. Ato luajnë rol thelbësor në shmangien e situatave të pakthyeshme që do t’i pengonin gjykatat kombëtare dhe/ose Gjykatën të shqyrtonin siç duhet ankesat sipas Konventës dhe, kur është e përshtatshme, t’i siguronin ankuesit gëzimin praktik dhe efektiv të të drejtave të pretenduara sipas Konventës.

Fakti që një Palë Kontraktuese e paditur nuk respekton masat e përkohshme cenon efektivitetin e së drejtës për kërkesë individuale të garantuar nga Neni 34 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe zotimin formal të Shtetit sipas Nenit 1 për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Konventë. Kur cakton masa të përkohshme, Gjykata ushtron juridiksionin e saj për të siguruar respektimin e zotimeve të ndërmarra nga Palët e Larta Kontraktuese në Konventë dhe në Protokollet e saj, në përputhje me Nenin 19, juridiksion i cili shtrihet në të gjitha çështjet lidhur me interpretimin dhe zbatimin e tyre, siç parashikohet në Nenin 32 të Konventës (shih, ndër të tjera, Mamatkulov dhe Askarov k. Turqisë [DhM], nr. 46827/99 dhe 46951/99, §§ 128–29, GJEDNJ 2005-I; Paladi k. Moldavisë [DhM], nr. 39806/05, §§ 84–106, 10 mars 2009; M.K. dhe të tjerë k. Polonisë, nr. 40503/17 dhe 2 të tjera, §§ 229–38, 23 korrik 2020; dhe K.I. k. Francës, nr. 5560/19, § 115, 15 prill 2021). Masat e përkohshme janë, pra, detyruese.

Teksti i Nenit 39 u ndryshua më 23 shkurt 2024 për të sqaruar më tej rrethanat në të cilat mund të caktohen masat e përkohshme dhe pragun që duhet të arrihet në lidhje me kërkesën për to dhe zbatimin e tyre. Ndryshimi synonte gjithashtu ta përafronte tekstin e Nenit me praktikën gjyqësore dhe praktikën e konsoliduar të Gjykatës lidhur me masat e përkohshme.

Këto Udhëzime praktike të rishikuara kanë për qëllim të japin udhëzime të hollësishme për aspektet materiale dhe procedurale të procedurës së masave të përkohshme të Gjykatës sipas Nenit 39 të Rregullave të Gjykatës. Kjo synon të sjellë më shumë qartësi dhe transparencë në zhvillimin e procedurave që lidhen me masat e përkohshme, në rrethanat përjashtimore në të cilat mund të caktohen masa të tilla dhe në rastet kur ato mund të rishqyrtohen. Udhëzimet u drejtohen ankuesve (potencialë), përfaqësuesve të tyre, Palëve Kontraktuese dhe, në përgjithësi, aktorëve të interesuar.

II. Fushëveprimi dhe funksionimi i procedurës së masave të përkohshme

A. Fushëveprimi i Nenit 39 të Rregullave të Gjykatës

Kur Gjykata cakton një masë të përkohshme, gjë që e bën në rrethana përjashtimore, ajo synon të ofrojë mbrojtje nga një rrezik i menjëhershëm për dëm të pariparueshëm. Prandaj Gjykata i urdhëron palët në procedurë të zbatojnë një masë të tillë vetëm nëse, pasi ka shqyrtuar të gjithë informacionin në dispozicion, çmon se masa është e nevojshme në interes të palëve ose të zhvillimit të rregullt të procedurës. Masat e përkohshme të caktuara nga Gjykata mund t’u kërkojnë palëve të përmbahen nga kryerja e veprimeve të caktuara ose t’i urdhërojnë ato të ndërmarrin masa specifike.

Versioni i kodifikuar rishtazi i Nenit 39 parashikon se masat e përkohshme zbatohen në rastet e «rrezikut të menjëhershëm për dëm të pariparueshëm ndaj një të drejte të mbrojtur nga Konventa». Nocioni i «dëmit të pariparueshëm ndaj një të drejte të mbrojtur nga Konventa» është përkufizuar si dëm që, për shkak të natyrës së tij, nuk do të mund të riparohej, të rivendosej ose të kompensohej në mënyrë adekuate. Në këtë kontekst, termi «rivendosje» duhet të kuptohet si kthim në gjendjen përpara se të ishte shkaktuar dëmi. Prandaj, Gjykata cakton masa të përkohshme kur ekziston rreziku që mungesa e tyre të çojë në një situatë në të cilën restitutio in integrum ose forma të tjera të riparimit, që Gjykata në përfundim të procedurës para saj mund t’i çmonte të nevojshme, nuk do të ishin më të mundshme. Rrethanat e çështjes duhet, rrjedhimisht, të tejkalojnë një prag të lartë serioziteti që Neni 39 të vihet në zbatim. Masat e përkohshme caktohen vetëm kur ekzistojnë prova prima facie për një rrezik të menjëhershëm për dëm të pariparueshëm, dhe jo kur ankuesit thjesht do të përballeshin me vështirësi në mungesë të masave të përkohshme. Sa i përket shterimit të mjeteve juridike të brendshme, shihni pjesën III.C më poshtë.

Kështu, Gjykata cakton masa të përkohshme, si çështje parimi, vetëm në raste përjashtimore dhe mbi bazën e një shqyrtimi rigoroz të të gjitha rrethanave përkatëse. Në shumicën e këtyre rasteve, provat e disponueshme tregojnë se ekziston një bazë qartazi e argumentueshme për një kërcënim të vërtetë ndaj jetës dhe integritetit fizik, me rrezikun real pasues për dëm të rëndë në shkelje të dispozitave thelbësore të Konventës.

B. Organet vendimmarrëse në procedurën e Nenit 39

Kompetenca e Gjykatës për të vendosur mbi kërkesat për masa të përkohshme ushtrohet nga gjyqtarët e shërbimit ose, sipas rastit, nga Kryetari i Seksionit, Dhoma, Kryetari i Dhomës së Madhe, Dhoma e Madhe ose Kryetari i Gjykatës (Neni 39 § 2).

Gjyqtarët e shërbimit janë gjyqtarët e zgjedhur si Zëvendëskryetarë të pesë Seksioneve në përputhje me Nenin 8 §§ 1 dhe 2. Ata emërohen nga Kryetari i Gjykatës në përputhje me Nenin 39 § 5 për të vendosur mbi kërkesat për masa të përkohshme. Prej vitit 2022, të pesë Zëvendëskryetarët e Seksioneve shërbejnë si gjyqtarë të shërbimit. Në praktikë, gjyqtarët e shërbimit nuk shqyrtojnë kërkesa për masa të përkohshme kundër Palës Kontraktuese për të cilën është zgjedhur gjyqtari përkatës ose shtetas i së cilës është ai.

Në versionin e ndryshuar të Nenit 39, Gjykata plenare vendosi të fusë një bazë ligjore të posaçme që i lejon Kryetarit të Gjykatës, kur është e nevojshme, të caktojë masa të përkohshme.

Kërkesat për masa të përkohshme të paraqitura në kuadër të ankimeve të reja individuale shqyrtohen kryesisht nga gjyqtarët e shërbimit, me ndihmën e një njësie të specializuar brenda Sekretarisë së Gjykatës. Gjyqtarët e shërbimit mund t’ia referojnë një kërkesë për masa të përkohshme njërit prej autoriteteve të tjera vendimmarrëse të renditura në Nenin 39 § 2, përfshirë organet kolegjiale. Referimet mund të bëhen në situata të ndryshme dhe varen nga natyra e kërkesës, nga çështja në kuadër të së cilës bëhet kërkesa dhe nga shkalla e urgjencës. Kjo e fundit mund të nënkuptojë se referimi te një organ kolegjial nuk është i mundur; në këtë rast, gjyqtari i shërbimit mund të vendosë ta zbatojë përkohësisht Nenin 39 me qëllim, ndër të tjera, lehtësimin e shqyrtimit të mëvonshëm të kërkesës për masë të përkohshme nga një organ i tillë. Vendimi për shqyrtimin e një kërkese nga një organ kolegjial i takon vetë Gjykatës.

Kërkesat për masa të përkohshme të paraqitura në kuadër të ankimeve ndërshtetërore, të ankimeve individuale që janë në pritje para Dhomës së Madhe dhe të ankimeve individuale të komunikuara që tashmë u janë caktuar Seksioneve, në parim shqyrtohen nga Kryetari i Gjykatës, Kryetari i Dhomës së Madhe ose Kryetarët e Seksioneve. Mundësia e referimit te një organ kolegjial zbatohet edhe kur kompetenca fillestare vendimmarrëse i takon Kryetarit të Gjykatës, Kryetarit të Dhomës së Madhe ose Kryetarëve të Seksioneve.

C. Procesi vendimmarrës lidhur me kërkesat për masa të përkohshme

Pas rishikimit të procesit vendimmarrës sipas Nenit 39 nga Gjykata plenare në vitin 2023, pavarësisht nga natyra e vendimit të marrë (për shembull, caktimi i masave të përkohshme, refuzimi i kërkesave, shtyrja e shqyrtimit të kërkesave ose heqja e masave të përkohshme ekzistuese), të gjitha vendimet e Gjykatës lidhur me masat e përkohshme u njoftohen palëve në formën e një vendimi të nënshkruar nga gjyqtari i shërbimit, Kryetari i Seksionit, Kryetari i Dhomës së Madhe ose Kryetari i Gjykatës, sipas rastit. Emrat e gjyqtarëve që marrin vendime në procedurën për masat e përkohshme tregohen sistematikisht në vendime.

Vendimet shoqërohen me një letër nga Sekretaria, e cila përfshin informacion lidhur me procedurën, si dhe çdo udhëzim drejtuar palëve ose çdo kërkesë drejtuar atyre.

Ankuesit informohen për vendimet e Gjykatës lidhur me kërkesat për masa të përkohshme nëpërmjet ECHR Rule 39 Site, me faks ose me postë.

Gjykata mund të caktojë masa të përkohshme deri në njoftim të mëtejshëm, për kohëzgjatjen e procedurës para Gjykatës ose për një periudhë të kufizuar kohore, në varësi të rrethanave të çështjes.

Kur masat e përkohshme jepen për një periudhë të kufizuar kohore, kjo bëhet për arsye të ndryshme, si për shembull: në pritje të marrjes së informacionit përkatës nga palët me kërkesë të Gjykatës; për t’u mundësuar gjykatave vendase të shqyrtojnë plotësisht, në procedurat në zhvillim, çështjen që është objekt i kërkesës për masë të përkohshme; sepse vlerësohet se një kërkesë duhet të shqyrtohet nga një organ kolegjial dhe nevojitet më shumë kohë për të planifikuar një mbledhje; ose sepse gjyqtari i shërbimit çmon se nevojitet më shumë kohë përpara dhënies së vendimit.

Kur Gjykata ka kërkuar më shumë informacion, të dyja palët ftohen, sipas Nenit 54 § 2 (a) të Rregullave të Gjykatës, të japin informacionin e nevojshëm brenda një periudhe të caktuar kohore. Kohëzgjatja e periudhës në fjalë varet nga rrethanat e çështjes dhe urgjenca e kërkesës. Në raste të tilla, pas marrjes së informacionit nga palët, Gjykata mund të vendosë zgjatjen, moszgjatjen ose heqjen e çdo mase të përkohshme në fuqi.

Gjykata mund të vendosë gjithashtu të shtyjë shqyrtimin e kërkesave për masa të përkohshme dhe t’i ftojë palët të japin informacion, kur shkalla e urgjencës e lejon këtë, në rastet kur informacioni që ankuesit kanë mundur t’i paraqesin Gjykatës nuk është i mjaftueshëm për t’i mundësuar asaj të shqyrtojë kërkesën dhe kur vlerësohet e mundur të kërkohet informacion nga Pala Kontraktuese e paditur përpara se të merret ndonjë vendim.

Kur shqyrtimi i kërkesës shtyhet, Pala Kontraktuese e paditur ose të dyja palët ftohen, sipas Nenit 54 § 2 (a), të japin informacionin e nevojshëm brenda një periudhe të caktuar kohore. Kohëzgjatja e periudhës në fjalë varet nga rrethanat e çështjes dhe shkalla e urgjencës së kërkesës. Pas marrjes së informacionit nga palët, Gjykata mund ose ta shtyjë sërish shqyrtimin e kërkesës dhe t’u parashtrojë palëve pyetje të tjera, ose të japë vendimin e saj mbi kërkesën për masa të përkohshme.

Gjykata mund të vendosë gjithashtu të njoftojë Komitetin e Ministrave për caktimin e një mase të përkohshme, sipas Nenit 39 § 3 të Rregullave të Gjykatës, kur organi gjyqësor që ka caktuar masën e përkohshme çmon se njoftimi është i përligjur. Në këto rrethana, palët vihen në dijeni për këtë njoftim.

Kur pretendohet se një Palë Kontraktuese e paditur nuk ka respektuar një masë të përkohshme dhe Gjykata vendos t’ia komunikojë ankimin ose një pjesë të tij Palës Kontraktuese të paditur, Komiteti i Ministrave mund të njoftohet gjithashtu për çdo çështje të ngritur lidhur me respektimin e detyrimeve sipas Nenit 34 të Konventës.

Të dyja palët kanë detyrimin të bashkëpunojnë plotësisht në zhvillimin e procedurës dhe, në veçanti, të ndërmarrin çdo veprim brenda mundësive të tyre që Gjykata e konsideron të nevojshëm për administrimin e rregullt të drejtësisë (shih Nenin 44A). Sa u përket ankuesve, kjo nënkupton detyrimin për të siguruar që kërkesat për masa të përkohshme të paraqiten në kohë dhe të përmbajnë të gjithë informacionin dhe dokumentet e nevojshme (shih paragrafët 32–37 më poshtë). Është thelbësore që ankuesit të mos e vonojnë paraqitjen e kërkesës së tyre për të krijuar një shkallë më të lartë urgjence. Vonesa të tilla mund të ndikojnë negativisht në të drejtat dhe interesat e ankuesve dhe në aftësinë e Gjykatës për t’i trajtuar në mënyrë efektive kërkesat për masa të përkohshme. Sa u përket Palëve Kontraktuese, në shumë raste, ndonëse jo në të gjitha, shkalla e urgjencës mund të jetë nën kontrollin e tyre. Gjykata thekson se Palët Kontraktuese mund ta vënë gjithmonë në dijeni Gjykatën paraprakisht kur çmojnë se një kërkesë sipas Nenit 39 mund të jetë e afërt, duke dhënë çdo informacion përkatës në atë moment.

Siç shpjegohet në paragrafin 13 më sipër, vendimet e Gjykatës mbi kërkesat për masa të përkohshme u njoftohen palëve në formën e një vendimi të nënshkruar nga organi gjyqësor që e ka marrë atë. Arsyetim i mëtejshëm lidhur me vendimin mund të jepet sipas diskrecionit të atij organi gjyqësor.

Nuk lejohet ankim kundër asnjë vendimi lidhur me kërkesat për masa të përkohshme.

Megjithatë, një Palë Kontraktuese e paditur mund t’i kërkojë Gjykatës të rishqyrtojë vendimin e saj për të caktuar masa të përkohshme, nëse çmon se masat nuk janë më të nevojshme ose kur zotëron informacion që nuk ishte i disponueshëm në kohën përkatëse ose nuk i ishte vënë Gjykatës në dispozicion në kohën e duhur. Nuk ka afat të caktuar për paraqitjen e kërkesave të tilla. Kur merret një kërkesë për rishqyrtim, mund të kërkohen komente nga pala tjetër, të cilat duhet të paraqiten brenda një periudhe të caktuar kohore. Më pas Gjykata shqyrton parashtresat e palëve dhe jep vendimin e saj mbi kërkesën për rishqyrtim, mbi bazën e çdo informacioni faktik dhe juridik të përditësuar e përkatës.

Në rast ndryshimi të rrethanave, ankuesit mund të paraqesin një kërkesë të re për masa të përkohshme kur kërkesa fillestare nuk është pranuar.

Një masë sipas Nenit 39 mund të hiqet në çdo kohë me vendim të Gjykatës. Në veçanti, duke qenë se një urdhër sipas Nenit 39 lidhet me procedurën para Gjykatës, masa do të hiqet nëse ankimi nuk ndiqet më.

Kur është e përligjur, Gjykata mund të vendosë ta deklarojë ankimin të papranueshëm në të njëjtën kohë me refuzimin e një kërkese për masa të përkohshme.

Në përputhje me politikën e përparësisë së Gjykatës, ankimet për të cilat janë caktuar masa të përkohshme hyjnë në kategorinë e «Ankimeve urgjente» (kategoria I). Prandaj ato kanë përparësi ndaj ankimeve në kategori të tjera dhe trajtohen e gjykohen sa më shpejt të jetë e mundur (shih më tej Politikën e përparësisë së Gjykatës).

III. Informacion praktik lidhur me masat e përkohshme

Kërkesat për masa të përkohshme shqyrtohen individualisht, në procedurë të shkruar. Ato trajtohen me përparësi. Në përputhje me praktikën e Gjykatës, kërkesat që bien qartazi jashtë fushëveprimit të Nenit 39, kërkesat e parakohshme dhe kërkesat e paplota ose të pambështetura, normalisht nuk i përcillen gjyqtarit për vendim dhe refuzohen. Ankuesit ose përfaqësuesit e tyre që paraqesin një kërkesë për masë të përkohshme sipas Nenit 39 të Rregullave të Gjykatës duhet të respektojnë kërkesat e përcaktuara më poshtë2.

2 Është thelbësore që të jepen të dhënat e plota të kontaktit.

A. Informacioni dhe dokumentet e kërkuara

Kërkesat duhet, kur është e mundur, të jenë në një nga gjuhët zyrtare të Palëve Kontraktuese dhe të paraqiten nëpërmjet ECHR Rule 39 Site, me faks ose me postë. Gjykata nuk do të trajtojë kërkesat e dërguara me email.

Ato duhet të përmbajnë të dhënat e mëposhtme:

• Emri/emrat e ankuesit

• Mbiemri/mbiemrat e ankuesit

• Adresa aktuale e ankuesit ose vendi i ndalimit

• Data e lindjes

• Shtetësia/shtetësitë

• Nëse ka disa ankues, «emri/emrat», «mbiemri/mbiemrat», «adresa aktuale», «data e lindjes» dhe «shtetësia/shtetësitë» për secilin ankues

• Emri/emrat, mbiemri/mbiemrat, adresa dhe kapaciteti/marrëdhënia/funksioni i përfaqësuesit, nëse ka

• Shteti/Shtetet kundër të cilit/të cilëve paraqitet kërkesa

Informacioni dhe dokumentet e treguara më poshtë duhet të paraqiten gjithashtu së bashku me kërkesën.

A. Arsyet e kërkesës për masa të përkohshme:

1. Përshkrimi i detajuar i situatës aktuale;

2. Natyra e rrezikut të pretenduar të menjëhershëm për dëm të pariparueshëm;

3. Një kopje e të gjitha dokumenteve përkatëse (raportet e fundit mjekësore, fotografi, dokumente që tregojnë cenueshmërinë e ankuesit, artikuj të shtypit ose raporte në lidhje me situatën e ankuesit etj.);

4. Në rastet e largimit/dëbimit/ekstradimit:

a. Arsyet e detajuara për largimin nga vendi i origjinës/vendi i destinacionit;

b. Arsyet për frikën e kthimit në vendin e origjinës/vendin e destinacionit;

c. Informacion lidhur me datën dhe rrethanat e mbërritjes në Palën Kontraktuese;

d. Vendi i destinacionit;

e. Data e largimit/dëbimit/ekstradimit të pritshëm;

f. Një kopje e të gjitha dokumenteve përkatëse (urdhrat e kontrollit, urdhër-arrestet, dënimet penale, artikujt e shtypit ose raportet në lidhje me ankuesin, raporte mbi vendin etj.).

B. Informacion lidhur me procedurat e brendshme në Palën Kontraktuese:

1. Informacion lidhur me procedurat e brendshme, duke përfshirë datën dhe përmbajtjen e vendimeve gjyqësore dhe ankimeve;

2. Të gjitha informacionet e tjera përkatëse lidhur me procedurat para autoriteteve vendase;

3. Një kopje e të gjitha dokumenteve përkatëse (kopje të vendimeve të autoriteteve kombëtare, vendimeve gjyqësore, kërkesave të paraqitura pranë autoriteteve dhe gjykatave kombëtare etj.);

4. Në rastet e largimit/dëbimit/ekstradimit:

a. Informacion lidhur me procedurat e azilit, nëse ka;

b. Informacion lidhur me procedurat e largimit;

c. Një kopje e të gjitha dokumenteve përkatëse.

C. Nenet e Konventës të përmendura.

D. Një formular prokure i plotësuar siç duhet, nëse kërkesa paraqitet nga një përfaqësues. Formulari mund të dërgohet pak kohë pas paraqitjes së kërkesës. Kërkesat për masa të përkohshme kërkojnë pëlqimin e ankuesit.

E. Një numër reference nga Gjykata, nëse tashmë keni një të tillë lidhur me këtë kërkesë.

F. Të gjitha informacionet dhe dokumentet e tjera që i konsideroni të nevojshme.

Mosdorëzimi i informacionit dhe dokumenteve të lartpërmendura mund të çojë në vlerësimin se kërkesa për masa të përkohshme është e pambështetur ose e paplotë.

Vetëm referimi te argumentet e paraqitura në dokumente të tjera ose te procedurat e brendshme nuk është i mjaftueshëm. Informacioni dhe dokumentet e përmendura më sipër duhet t’i bashkëngjiten çdo kërkese.

Gjykata nuk do të kontaktojë domosdoshmërisht ankuesit kërkesa e të cilëve për masa të përkohshme është e paplotë.

B. Parashtrimi në kohë i kërkesave

Kërkesat për masa të përkohshme normalisht duhet të dërgohen sa më shpejt që të jetë e mundur pas marrjes së vendimit përfundimtar të brendshëm, në mënyrë që Gjykata dhe Sekretaria e saj të kenë kohë të mjaftueshme për të shqyrtuar çështjen. Gjykata mund të mos jetë në gjendje të trajtojë kërkesat në rastet e dëbimit ose ekstradimit të marra më pak se një ditë pune përpara orës së planifikuar të largimit3.

Kur vendimi përfundimtar i brendshëm është i afërt dhe ekziston rreziku i zbatimit të menjëhershëm, veçanërisht në rastet e dëbimit ose ekstradimit, ankuesit dhe përfaqësuesit e tyre duhet të paraqesin kërkesën për masa të përkohshme pa e pritur atë vendim, duke treguar qartë datën në të cilën do të merret dhe se kërkesa kushtëzohet nga fakti që vendimi përfundimtar i brendshëm të jetë negativ.

3 Lista e festave publike dhe festave të tjera kur Sekretaria e Gjykatës është e mbyllur mund të konsultohet në faqen e internetit të Gjykatës: www.echr.coe.int/contact.

C. Mjetet juridike të brendshme me efekt pezullues

Gjykata nuk shqyrton ankime kundër vendimeve të gjykatave vendase dhe ankuesit në çështjet e dëbimit ose ekstradimit duhet të përdorin mjetet juridike të brendshme që mund të pezullojnë largimin përpara se t’i drejtohen Gjykatës për masa të përkohshme. Kur ankuesi ka ende mundësi të përdorë mjete juridike të brendshme me efekt pezullues, Gjykata nuk do të zbatojë Nenin 39 për të parandaluar largimin.

D. Largimi i një personi drejt një Pale Kontraktuese

Kur një person, kërkesa e të cilit për masa të përkohshme është refuzuar, është larguar drejt një Pale tjetër Kontraktuese, ai ose ajo mund, nëse është e nevojshme, të paraqesë një kërkesë të re kundër atij Shteti sipas Nenit 39 të Rregullave të Gjykatës ose një ankim sipas Nenit 34 të Konventës.

E. Ndjekja e kërkesave

Pasi të jetë paraqitur një kërkesë për masa të përkohshme, ankuesi ose përfaqësuesi i tij është i detyruar ta ndjekë ecurinë e saj dhe t’i përgjigjet korrespondencës së Sekretarisë së Gjykatës.

Ankuesi duhet të tregojë kujdes në korrespondencën me Sekretarinë e Gjykatës. Është thelbësore që Gjykata të informohet menjëherë për çdo ndryshim të statusit administrativ të ankuesit ose të rrethanave të tjera (për shembull, nëse ankuesit i jepet leje qëndrimi, nëse kthehet në vendin e origjinës ose nëse ndryshon adresën për ndonjë arsye tjetër, nëse ka ndryshim të datës dhe orës së largimit, ose nëse ka një vendim të ri gjyqësor apo zhvillim tjetër që lidhet me kërkesën e ankuesit).

Kur është caktuar një masë e përkohshme, ankuesi ose përfaqësuesi i tij duhet ta informojë rregullisht dhe menjëherë Gjykatën për gjendjen e çdo procedure të brendshme ende në zhvillim. Mosrespektimi i kësaj detyre mund të çojë në çregjistrimin e çështjes nga lista e çështjeve të Gjykatës.

Kur një kërkesë për masa të përkohshme është refuzuar, ankuesi ose përfaqësuesi i tij duhet ta informojë Gjykatën nëse dëshiron të vijojë me ankimin. Përfaqësuesi i ankuesit duhet gjithashtu ta informojë Gjykatën menjëherë, me nismën e vet, për çdo humbje të mundshme të kontaktit me ankuesin.

Kur kërkesa është paraqitur nëpërmjet ECHR Rule 39 Site dhe më pas është mbyllur në atë faqe pasi vendimi i është njoftuar ankuesit ose përfaqësuesit të tij, korrespondenca e mëtejshme me Gjykatën duhet të dërgohet me faks ose me postë. Korrespondenca që i dërgohet drejtpërdrejt me email një gjyqtari, Kryetarit të një Seksioni, Kryetarit të Gjykatës ose një anëtari të stafit të Sekretarisë nuk do të merret në shqyrtim.